“E neglizhuan në urgjencë”/ Hapet hetimi për vdekjen e të riut shqiptar në Itali, familja: Diagnoza u vonua, na thanë se kishte përdorur drogë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.06.2026, 22:39

Prokuroria e Spoletos në Itali ka hapur një hetim për të verifikuar nëse ka pasur përgjegjësi mjekësore në rastin e vdekjes së 24-vjeçarit shqiptar Sabjan Ballici, i cili humbi jetën më 20 shkurt 2026 në spitalin e Folignos, pas diagnostikimit me kancer në stomak.

Sipas mediave italiane, hetimi nisi pas kallëzimit të paraqitur nga familja e të riut, e cila pretendon se ai ishte paraqitur disa herë në urgjencën e spitalit “Santa Maria della Misericordia” në Perugia, por ishte larguar ose ishte dërguar në shtëpi pa u shtruar për trajtim të mëtejshëm.

Ballici, sportist dhe punonjës në sektorin elektrik në Perugia, kishte nisur të shfaqte probleme shëndetësore që gjatë verës së vitit 2025. Fillimisht ai ankohej për kollë të vazhdueshme dhe gjurmë gjaku, ndërsa më pas iu nënshtrua disa ekzaminimeve mjekësore.

Sipas familjes, më 27 dhjetor 2025 ai u paraqit në urgjencë pas temperaturës së lartë, kollës së fortë dhe simptomave të tjera shqetësuese, por pas disa orësh pritjeje u largua pa u vizituar. Vizita e dytë në urgjencë ndodhi më 19 janar, me rekomandim për shtrim nga mjeku i familjes. Edhe këtë herë, sipas pretendimeve të familjarëve, ai u dërgua në shtëpi pas disa orësh, me rekomandimin për të kryer një bronkoskopi.

Në kallëzim përmendet gjithashtu se gjatë një prej kontrolleve një mjek dyshohet t’i ketë atribuar problemet shëndetësore përdorimit të lëndëve narkotike, pretendim që familja e mohon kategorikisht.

Më 29 janar, 24-vjeçari u paraqit sërish në urgjencë për shkak të përkeqësimit të gjendjes dhe dhimbjeve të forta në kraharor. Ai qëndroi një natë nën vëzhgim dhe më pas u largua përsëri nga spitali.

Vetëm më 6 shkurt, pasi gjendja e tij ishte rënduar ndjeshëm, familja iu drejtua spitalit të Folignos, ku Sabjani u shtrua menjëherë. Mjekët diagnostikuan adenokarcinomë gastrike, një formë agresive e kancerit të stomakut. Dy javë më vonë, më 20 shkurt, ai humbi jetën pas një krize të rëndë respiratore.

Familja ka paraqitur pranë Prokurorisë edhe një ekspertizë mjeko-ligjore private, sipas së cilës diagnoza mund të ishte vendosur më herët nëse i riu nuk do të ishte larguar nga spitali në rastet e mëparshme. Eksperti argumenton se një diagnostikim më i hershëm mund të mos kishte garantuar shpëtimin e jetës së pacientit, por mund të kishte ngadalësuar përparimin e sëmundjes, zgjatur jetën e tij dhe ulur vuajtjet.

Tashmë do të jetë Prokuroria italiane ajo që do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të përcaktojë nëse ka pasur shkelje apo përgjegjësi në menaxhimin mjekësor të rastit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit