Në Tiranë po mbahet sot për të 10-ën ditë radhazi protesta kundër klasës politike që ka qeverisur vendin për 35 vitet e fundit, që prej rënies së regjimit komunist.
Mijëra qytetarë i janë bashkuar sërish tubimit, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj situatës në vend dhe duke kërkuar ndryshim rrënjësor në politikën shqiptare.
Mes pamjeve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, nuk kanë munguar edhe denoncimet nga pjesëmarrësit. Një prej tyre ka dërguar një video ku shfaqet një person në tarracën e një prej kullave binjake në Tiranë, i cili duket se po filmon njerëzit e mbledhur në shesh. Duke komentuar pamjet, dërguesi shprehet: "Shikojeni patronazhistin se si i filmon qytetarët që protestojnë."
Kjo nuk është hera e parë që persona të tillë filmojnë protestuesit nga lartësitë e ndërtesave përreth perimetrit ku zhvillohet tubimi, një taktikë e njohur kjo për monitorimin dhe intimidimin e pjesëmarrësve.
Pavarësisht vëzhgimeve dhe presioneve të tilla, rezistenca në kryeqytet nuk ndalet. Protestuesit kanë paralajmëruar mobilizim total kundër kastës politike 35-vjeçare, duke artikuluar akuzën më të rëndë: vjedhjen e të ardhmes dhe zbrazjen e Shqipërisë përmes largimit masiv të të rinjve.