Një situatë shqetësuese është denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania nga ambientet e brendshme të spitalit të Sarandës.
Pamjet filmike të mbërritura në redaksi tregojnë thasë me mbeturina të lëna brenda hapësirave të spitalit, një institucion ku higjiena dhe pastërtia duhet të jenë prioritet absolut. Prania e plehrave në ambientet e brendshme ka ngritur shqetësime te qytetarët dhe pacientët që frekuentojnë çdo ditë këtë institucion shëndetësor.
Sipas denoncuesve, përveç problematikave të tjera me të cilat përballet spitali, pacientët detyrohen të shohin edhe grumbuj mbetjesh në korridore dhe hapësira të përbashkëta, duke krijuar një panoramë që nuk përputhet me standardet që duhet të ketë një qendër shëndetësore.
Situata konsiderohet veçanërisht alarmante pasi bëhet fjalë për një ambient ku trajtohen të sëmurë dhe ku ruajtja e kushteve higjieno-sanitare është thelbësore. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga drejtuesit e institucionit dhe autoritetet përgjegjëse për largimin e mbeturinave dhe rikthimin e kushteve normale brenda spitalit.