Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 që goditi Filipinet është rritur në të paktën 41 persona, ndërsa mbi 450 të tjerë raportohen të plagosur, sipas burimeve provinciale të cituara nga AFP.
Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për persona të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur në qytetin General Santos, një nga zonat më të goditura nga lëkundjet e forta. Autoritetet konfirmojnë se disa persona janë nxjerrë të gjallë, ndërsa të tjerë ende rezultojnë të zhdukur.
Tërmeti është ndjerë fuqishëm në ishullin Mindanao, duke shkaktuar shembje ndërtesash, dëmtime të infrastrukturës dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë në Filipine ka regjistruar mbi 20 paslëkundje, përfshirë një me magnitudë 6.7, ndërsa Filipinet ndodhen në “Unazën e Zjarrit”, një nga zonat më aktive sizmike në botë.