Sadik Llani, autori i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit Ardian Baloshi, vijon të jetë në arrati, ndërsa policia po intensifikon kërkimet për lokalizimin e tij. Hetuesit, përmes analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, kanë rindërtuar lëvizjet e tij deri në zonën e Liqenit të Bovillës.
Mbrëmjen e djeshme, forcat speciale RENEA ushtruan kontrolle në rreth 15 objekte në këtë zonë, por pa arritur të gjejnë gjurmë të të kërkuarit. Paralelisht, kontrolle janë zhvilluar edhe në zonat malore të Krujës, ndërsa aksioni pritet të vijojë edhe gjatë ditës së sotme.
Gjatë operacionit, policia ka gjetur të braktisur automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori pranë Liqenit të Bovillës, por nga kontrolli i tij nuk janë konstatuar prova të reja. Ndërkohë, grupi hetimor ka marrë në pyetje 8 persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë sjellë ende informacion që ndihmon në lokalizimin e të dyshuarit.