Protesta kundër klasës politike në Tiranë po vijon prej disa orësh, ndërsa numri i pjesëmarrësve vazhdon të rritet. Mijëra qytetarë janë mbledhur në kryeqytet për të nëntën ditë rradhazi për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Pjesëmarrës nga qytete dhe zona të ndryshme të vendit janë bashkuar në marshimin që ka përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe disa nga rrugët kryesore përreth tij. Kolona e protestuesve është zgjeruar gradualisht, duke krijuar një prani të konsiderueshme në qendër të Tiranës.
Gjatë tubimit janë dëgjuar slogane dhe thirrje të ndryshme kundër qeverisë, ndërsa shumë protestues mbanin pankarta dhe flamuj kombëtarë. Mes mesazheve të artikuluara gjatë marshimit ishin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit, si dhe thirrje që lidhen me çështje politike dhe shoqërore.
Në protestë janë përfshirë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, përfshirë të rinj, studentë, familjarë dhe pensionistë. Organizatorët e kanë cilësuar tubimin si një reagim qytetar ndaj situatës politike dhe mënyrës së qeverisjes së vendit gjatë tre dekadave të fundit.
Siç shihet dhe në pamje, pjesëmarrja ka vijuar të shtohet edhe gjatë mbrëmjes. Turma e protestuesve shtrihet në disa segmente të bulevardit kryesor, duke arritur deri në zonën e njohur si Vila e Enverit, ndërsa qendra e kryeqytetit mbetet e mbushur me pjesëmarrës dhe e dominuar nga atmosfera e protestës.
Paralelisht me tubimin në Tiranë, protesta kundër qeverisë janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Shkodrën, Korçën, Durrësin dhe Vlorën.