Qytetarë të shumtë janë mbledhur në hyrje të Shkodrës për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në qytet në kuadër të një aktiviteti të Partisë Socialiste.
Protestuesit janë pozicionuar përgjatë rrugës pranë Kalasë së Rozafës, ku kanë shpalosur pankarta me kritika ndaj qeverisë dhe situatës ekonomike në vend.
Mes pankartave të tjera binin në sy edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, si dhe mesazhe që lidhen me skandalet e denoncuara së fundmi. Një tjetër pankartë mbante shkrimin: “Shtet me rrogëtarë të varfër dhe hajdutë me kollare”, ndërsa nuk mungonte as slogani: “Rama n’burg, Beneti n’burg”.
Gjatë protestës, disa qytetarë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj politikave të qeverisë, duke deklaruar se do të vazhdojnë të reagojnë për çështjet që, sipas tyre, prekin interesat e vendit dhe të komunitetit.
Në zonë janë angazhuar forca të shumta policie për të monitoruar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe protestës, e cila është zhvilluar pa incidente.