Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Paskuqan, ku humbi jetën 27-vjeçari Ardian Balloshi.
Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, në vendngjarje janë sekuestruar 10 gëzhoja, të cilat dyshohet se janë shkrepur nga arma e përdorur nga autori i dyshuar, Sadik Llani.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Balloshi është qëlluar në kokë, plagë që rezultoi fatale dhe i mori jetën të riut pak pasi u transportua drejt spitalit.
Hetuesit dyshojnë se objektiv i sulmit mund të ketë qenë edhe një person tjetër i pranishëm në zonë, i cili arriti t’i shpëtojë të shtënave pa pësuar lëndime.
Ndërkohë, kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar vijojnë intensivisht. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, jo vetëm për shkak të ngjarjes së ndodhur, por edhe sepse dyshohet se vazhdon të jetë i armatosur dhe në lëvizje.