Qindra shqiptarë të diasporës janë mbledhur në qytetin e Bolonjës, në Itali, për të protestuar kundër projektit të planifikuar në Zvërnec, si edhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe të ndryshme, protestuesit kërkuan ndalimin e projektit në Zvërnec, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për interesin publik dhe pasuritë natyrore të zonës. Në të njëjtën kohë, ata shprehën revoltën e tyre ndaj klasës politike shqiptare, duke artikuluar kritika si ndaj qeverisë ashtu edhe ndaj opozitës.
Organizatorët theksuan se tubimi është qytetar dhe paqësor, duke nënvizuar se protesta nuk përfaqëson asnjë forcë politike, por zërin e shqiptarëve që ndihen të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer nga politika e tranzicionit.
Protesta e Bolonjës vjen në një kohë kur kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec po kalon kufijtë e Shqipërisë. Ajo që nisi si reagim lokal është shndërruar në një lëvizje më të gjerë, duke mobilizuar shqiptarë në qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë të organizohen dhe të ngrejnë zërin kundër vendimeve që, sipas tyre, cenojnë interesin publik, ndërsa theksuan se mbrojtja e territorit dhe kërkesa për më shumë përgjegjësi politike nuk janë çështje partiake, por kombëtare.