U rrit në Kosovë dhe u transferua te Elbasani, kush ishte fubolisti Fatjon Bunjaku që u shua në aksident

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.06.2026, 17:01

Një lajm i rëndë ka tronditur botën e futbollit në Shqipëri dhe Kosovë. Futbollisti Fatjon Bunjaku ka humbur jetën në moshën 22-vjeçare pas një aksidenti të rëndë automobilistik të ndodhur në aksin Prishtinë–Mitrovicë.

Mesfushori, i cili aktivizohej me AF Elbasanin, mbyll në mënyrë tragjike një karrierë që konsiderohej premtuese dhe që ishte ende në fazat e saj të zhvillimit. Humbja e tij ka sjellë reagime dhe dhimbje të madhe në komunitetin sportiv në të dyja vendet.

Bunjaku iu bashkua skuadrës së Elbasanit gjatë verës së vitit 2025, duke u vlerësuar si një nga elementët me potencial për të ardhmen e ekipit verdheblu. Përpara transferimit në kampionatin shqiptar, ai kishte zhvilluar karrierën e tij në futbollin kosovar, ku aktivizohej prej vitesh.

Gjatë rrugëtimit të tij sportiv, ai ishte pjesë e skuadrave të KF Trepça, Liria, Gjilani dhe Malisheva, duke fituar eksperiencë në elitën e futbollit të Kosovës dhe duke spikatur si një mesfushor me perspektivë.

Në futbollin shqiptar, Bunjaku regjistroi 31 paraqitje zyrtare dhe shënoi 3 gola, duke dhënë kontributin e tij me fanellën e Elbasanit.

22-vjeçari ishte gjithashtu pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Kosovës. Ai numëronte tri ndeshje me përfaqësuesen U19 dhe katër paraqitje me ekipin U21, duke qenë ndër lojtarët që synonin të ngjiteshin në nivelet më të larta të futbollit kosovar.

Ndarja e parakohshme nga jeta e Fatjon Bunjakut lë një boshllëk të madh te familjarët, miqtë, shokët e skuadrës dhe te gjithë ata që e njohën si sportist dhe si njeri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit