Policinë e çoi çobani te Braçellari, efektivi i vrarë nuk arriti të qëllonte asnjë plumb

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.06.2026, 16:38

Detaje të reja janë bërë publike nga dosja hetimore që lidhet me operacionin e Policisë së Shtetit për kapjen e Violand Braçellarit, i dënuar në mungesë me 10 vite burg, si dhe me ngjarjen tragjike ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli.

Sipas të dhënave të administruara nga grupi hetimor, ndërhyrja policore u organizua pas një kallëzimi të bërë nga një 32-vjeçar, i cili punonte si çoban në bagëtitë e Braçellarit në zonën malore të Bodesë. Ai ka deklaruar se ishte dhunuar fizikisht dhe kërcënuar me armë zjarri nga Braçellari, duke njoftuar autoritetet se ky i fundit qëndronte pranë stallave dhe ishte i armatosur.

Bazuar në këtë informacion, në orët e para të mëngjesit të 4 qershorit 2026, forcat policore të Korçës organizuan operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e të kërkuarit. Sipas dosjes, në momentin kur efektivët rrethuan zonën ku dyshohej se ai fshihej, Braçellari ka qëlluar me armë në drejtim të tyre.

Si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Hetimet paraprake tregojnë se pas përplasjes me armë, i dyshuari tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes, por u plagos dhe u arrestua pak metra larg stallave ku qëndronte.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, hetuesit sekuestruan armë zjarri, gëzhoja, njolla të dyshuara gjaku dhe prova të tjera materiale që do t’i nënshtrohen analizave kriminalistike. Grupi hetimor dokumentoi gjithashtu pozicionet e armëve dhe gjurmët e gjetura në terren për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Nga ekspertiza paraprake rezulton se efektivi Mekolli kishte marrë disa plagë nga armë zjarri. Në dosje evidentohet gjithashtu se arma e shërbimit që ai mbante nuk rezulton të jetë përdorur gjatë operacionit.

Tashmë hetimet janë përqendruar në analizimin e të gjitha provave të sekuestruara, me synim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, trajektores së lëvizjes së autorit të dyshuar dhe rolit të secilës provë materiale të administruar nga grupi hetimor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit