Gati 7 vite nga tërmeti shkatërrues, qytetarët ende pa një shtëpi për të futur kokën

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.06.2026, 15:53

Sa herë që qeveria flet për "mrekullinë e rindërtimit", ka qytetarë që kujtohen se jetojnë në një realitet krejt tjetër. Njëri prej tyre ka vendosur të denoncojë publikisht faktin se ende nuk ka marrë banesën që i takon nga programi i rindërtimit, megjithëse kanë kaluar vite të tëra nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019.

Historia e tij është paradoksale. Me profesion agjent imobiliar, ai ndihmon qytetarët të gjejnë shtëpi, apartamente dhe prona, ndërsa vetë vazhdon të presë banesën që shteti i premtoi pas humbjes së shkaktuar nga tërmeti. Një ironi që vështirë se mund të shpiket edhe në satirë.

Prej vitesh shqiptarëve u është servirur ideja se procesi i rindërtimit është mbyllur me sukses. Janë prerë shirita, janë organizuar ceremoni dhe janë prodhuar pafund video propagandistike. Por mjafton një denoncim i tillë për të kuptuar se pas fasadës së suksesit ka ende njerëz që vazhdojnë të presin.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: nëse rindërtimi ka përfunduar, pse ka ende qytetarë pa shtëpitë e premtuara? Kush mban përgjegjësi për vitet e humbura? Kush u përgjigjet familjeve që kanë jetuar mes pasigurisë, ndërsa dëgjojnë çdo sezon elektoral të njëjtat premtime të përsëritura?

Rasti i këtij qytetari nuk duket thjesht si një vonesë administrative. Ai është një kujtesë se pas statistikave të bukura dhe deklaratave triumfaliste fshihen histori reale njerëzish që vazhdojnë të presin atë që u është premtuar prej vitesh. Dhe sa më gjatë të zgjasë kjo pritje, aq më bosh tingëllojnë fjalët për "suksesin historik" të rindërtimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit