Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë pak pas mesnate në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, ku si pasojë ka humbur jetën futbollisti nga Vushtrria, Fatjon Bunjaku.
Aksidenti ndodhi saktësisht në fshatin Maxhunaj dhe në rrjete sociale u publikuan pamje.
Bunjaku ishte vetëm 22 vjeçar.
Ai së fundmi ka qenë pjesë e klubit AF Elbasani, ndërsa më herët ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës U-21.
Për vdekjen e tij ngushëllime shprehu edhe FFK.
“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, Fatjon Bunjakut. Në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në vend, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë e të pazëvendësueshme.
Fatjoni ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar. Ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. Kontributi i tij në klubet ku luajti dhe paraqitjet me fanellën e Kosovës U21 do të mbeten pjesë e kujtimeve të çmuara të futbollit tonë.
Fatjoni përfaqësoi me krenari ngjyrat e Kosovës dhe ishte një shembull i një sportisti që gjithmonë synonte të ecte përpara. Largimi i tij në një moshë kaq të re na ka tronditur të gjithëve. Futbolli kosovar humbi një talent të madh, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëlojtarët humbën një njeri të dashur, që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre.Në këto çaste të rënda, ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe. Qoftë i përhershëm kujtimi për Fatjonin. U prehtë në paqe”, thuhet nëpostim.