Futbolli shqiptar dhe ai kosovar janë tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Fatjon Bunjakut. Futbollisti i AF Elbasanit humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik në aksin Prishtinë, Mitrovicë, gjatë orëve të para të mëngjesit.
22-vjeçari konsiderohej një prej futbollistëve premtues të brezit të tij. Vetëm një vit më parë ai iu bashkua AF Elbasanit, ku gjatë sezonit të fundit zhvilloi 32 ndeshje, duke u kthyer në një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës.
Përmes një reagimi prekës, AF Elbasani shprehu dhimbjen për humbjen e futbollistit të ri, duke theksuar se klubi humbi jo vetëm një lojtar, por edhe një njeri që mbajti me krenari fanellën verdheblu dhe la gjurmë me përkushtimin e tij.
Gjatë karrierës së tij, Bunjaku ishte aktivizuar me disa skuadra të njohura në Kosovë dhe jashtë saj, mes tyre Malisheva, Liria, Gjilani, Trepça, FC Phoenix dhe Zmaj Makarska në Kroaci. Ai kishte qenë gjithashtu pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ku shihej si një futbollist me të ardhme të ndritur.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga komuniteti sportiv, miqtë dhe tifozët, të cilët po shprehin ngushëllimet për familjen Bunjaku. Një karrierë në ngritje dhe një jetë e re u ndërprenë tragjikisht shumë herët.