Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Fier-Levan, pranë vendit të njohur si “Kthesa e Liqenit”.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete, një tip “Fiat” dhe një tip “Audi”, janë përplasur kokë më kokë në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Si pasojë e përplasjes së fortë, tre persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre një prej drejtuesve të mjeteve dhe dy pasagjerë.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se personat që udhëtonin me automjetin “Fiat” po ktheheshin nga një dasëm në momentin e aksidentit.
Pas ngjarjes në vendin e përplasjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në aksident.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit.