Skema si e përfitoi Balluku vilën luksoze në Dhërmi! Komshie ka vartësen

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.06.2026, 15:45

Një vilë luksoze me pishinë në kompleksin “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, e identifikuar me numrin F-6, është kthyer në qendër të hetimeve të SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Juridikisht vila figuron në emër të ish-kapitenit të Kombëtares Shqiptare, Igli Tare, por prokuroria pretendon se ajo përdorej dhe administrohej nga Balluku dhe familjarët e saj. Ngjitur me vilën ndodhet edhe prona e vartëses së saj, Viola Haxhiademi, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Më 3 qershor 2026, SPAK sekuestroi vilën, duke e konsideruar produkt të veprave penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Hetimi zbulon se Balluku, gjatë kohës që drejtonte Albcontrol, favorizoi kompaninë “Eurocol” të biznesmenit Pandeli Carapuli për dy tendera me vlerë rreth 1 miliard lekë. Përfitimi i vilës u lidh me tenderat, ndërsa për të fshehur pronësinë reale u firmos më 5 dhjetor 2018 një kontratë porosie mes Igli Tares dhe “Eurocol” me vlerë 145 mijë euro. SPAK zbuloi se Tare nuk ka paguar vetë shumën e plotë, 70 mijë euro u kryen nga vëllai i tij, Agron Tare, ndërsa diferenca prej 75 mijë euro nuk ka gjurmë financiare.

Hetimi ka treguar se Igli Tare nuk ka jetuar asnjëherë në vilë, ndërsa mobilimin dhe përdorimin e saj e ka kryer vetë Balluku dhe familjarët e saj. Tre vite e pesë muaj pas kontratës, Tare i jep vilën me qira Joana Bushit, ish-drejtoreshë kabineti e Ballukut, pa asnjë transaksion financiar të verifikuar. SPAK ka marrë masat ligjore, duke marrë në hetim Ballukun për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Korrupsion pasiv” dhe “Fshehje pasurie”, ndërsa Tare, Bushi dhe Carapuli ndiqen për akuza të lidhura me korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet vijojnë për prona të tjera të dyshuara të fshehura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit