I akuzuar nga SPAK për vrasjen e Klevish Lleshit, ekstradohet “skenaristi i atentateve”, Sajmir Kolaveri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.06.2026, 13:22

Sajmir Kolaveri, i akuzuar nga drejtësia shqiptare për përfshirje në vrasjen e Klevis Lleshit në vitin 2020, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë.

44-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), më 25 shtator 2025, kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra të rënda penale.

Kolaveri akuzohet për “Vrasje për gjakmarrje”, “Fshehje ose asgjësim kufome”, si dhe për përfshirje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se më 5 gusht 2020 ka bashkëpunuar me persona të tjerë për ekzekutimin e Klevis Lleshit. Pas krimit, hetuesit thonë se ai ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe varrosjen e trupit të viktimës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, me qëllim fshehjen e gjurmëve.

Emri i Kolaverit është përmendur edhe në një tjetër ngjarje kriminale. Gjatë një seance gjyqësore, Vilson Brahaj, i dënuar për një shpërthim me tritol, deklaroi se Kolaveri i kishte premtuar 5 mijë euro për të kryer atentatin. Sipas dëshmisë së tij, Kolaveri i kishte thënë se banesa ku do të vendosej lënda plasëse ishte pronë e tij dhe se gjithçka po organizohej për të krijuar një skenar që do t’i shërbente më pas kërkesës për azil jashtë vendit.

Kolaveri u rikthye në fokus edhe pas operacionit të fundit të SPAK për zbardhjen e vrasjes së Klevis Lleshit. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes Aurel Hoxhës, i cili akuzohet se porositi vrasjen kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh, dhe autorëve të ekzekutimit, mes tyre Sabah Nuzi.

Pas arrestimit nga autoritetet italiane, Kolaveri është ekstraduar në Shqipëri, ku pritet të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij. Ai konsiderohet një nga personat e përfshirë në konfliktin e përgjakshëm mes familjeve Lleshi dhe Hoxha, një sagë hakmarrjeje që prej vitesh ka prodhuar viktima dhe ngjarje të rënda kriminale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit