Liqeni i Shkodrës është shpallur zyrtarisht Rezervë Biosfere nga UNESCO, duke marrë një nga vlerësimet më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Vendimi u miratua pas aplikimit të paraqitur nga Shqipëria në fund të vitit 2025, me synimin për të siguruar njohjen globale të vlerave të jashtëzakonshme ekologjike të liqenit, pasurisë së habitateve natyrore dhe rolit të tij kyç në ruajtjen e ekuilibrave mjedisorë në rajon.
I ndarë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, Liqeni i Shkodrës konsiderohet liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Evropën Juglindore. Ekosistemi i tij strehon qindra lloje shpendësh, peshqish dhe specie të tjera të florës e faunës, përfshirë edhe organizma të rrallë apo të rrezikuar.
Statusi i ri i Rezervës së Biosferës synon të forcojë mbrojtjen afatgjatë të këtij ekosistemi unik, duke nxitur në të njëjtën kohë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, promovimin e turizmit natyror dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes dy vendeve.
Pritet që njohja nga UNESCO të sjellë më shumë vëmendje, financime dhe mbështetje për projekte që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe zhvillimin e komuniteteve lokale që jetojnë pranë liqenit.
Përveç vlerave të jashtëzakonshme ekologjike, Liqeni i Shkodrës mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në rajon. Çdo vit ai tërheq mijëra vizitorë vendas dhe të huaj falë peizazheve mbresëlënëse, trashëgimisë së pasur kulturore dhe potencialit të lartë për ekoturizëm.
Shpallja si Rezervë Biosfere nga UNESCO konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes dhe promovimit të një prej pasurive natyrore më të çmuara të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit.