Avokatja dhe notarja shqiptaro-australiane Eva Buzo është rikthyer sërish në Vlorë për të realizuar një tjetër sfidë sportive në ujërat e Jonit. Këtë herë ajo u nis nga Radhimë me destinacion ishullin e Sazanit, ku zhvilloi një notim sfidues rreth ishullit më të madh të Shqipërisë, në një itinerar të gjatë përgjatë vijës bregdetare.
Fillimisht e shoqëruar nga ekipi mbështetës dhe ai i sigurisë, Buzo vijoi më pas e vetme pjesën kryesore të sfidës, duke përballuar kushte të hapura detare dhe distanca të gjata. Notimi, i cili përfshiu rreth 15 kilometra vijë detare, kërkoi përgatitje të lartë fizike dhe psikologjike.
Kjo nuk është hera e parë që Eva Buzo zgjedh Vlorën për sfida të tilla sportive, pasi më parë ajo ka notuar nga brigjet e Italisë drejt Karaburunit, një arritje që mori vëmendje të gjerë. Me këtë rikthim, ajo vijon të promovojë sportet e qëndrueshmërisë dhe bukuritë natyrore të bregdetit shqiptar.