Banorë të zonës rezidenciale pranë TEG-ut, në Lundër tek kompleksi Secret Garden kanë ngritur shqetësimin për një seri grabitjesh me armë që, sipas tyre, janë regjistruar ditët e fundit në të paktën 2-3 vende të zonës. Sipas dëshmive të banorëve, ata kanë mbërritur në vendngjarje para forcave të policisë, të cilat pretendohet se kanë ardhur rreth 30 minuta më vonë.
Banorët shprehen të alarmuar nga situata dhe kritikojnë mungesën e informacionit zyrtar nga autoritetet. Ata thonë se e vetmja gjë që u është komunikuar nga përgjegjësit e zonës është se dyshohet për veprimtarinë e dy grupeve të rinjsh. Ndërkohë, familjet që jetojnë në rezidencat përreth deklarojnë se ndihen të pasigurtë dhe kërkojnë më shumë transparencë dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë në zonë.
"Përshëndetje JOQ! Dua të ndaj një shqetësim. Në zonën rezidenciale afër TEG-ut, tek Secret Garden, kanë plasur grabitjet me armë. Janë bërë në 2-3 vende, me aq sa kemi marrë vesh ne banorët e rezidencave përreth. Madje, kemi shkuar në vendngjarje para se të vinte policia, e cila mbërriti rreth 30 minuta më vonë. Mirë që vijnë me vonesë, por nga ana e policisë nuk po shohim asnjë njoftim. E vetmja gjë që na është konfirmuar nga shefi i zonës është se bëhet fjalë për dy grupe me çuna. Ne banorët e rezidencave të tjera jemi të frikësuar, pasi nuk po marrim vesh çfarë po ndodh. Situata po na traumatizon familjarët dhe po krijon pasiguri të madhe në zonë", shkruan qytetari.
