Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në fshatin Rrilë të Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, eksplozivi është vendosur në një banesë dykatëshe në pronësi të shtetasit Mirash Ndue Mirashi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, ndërsa si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në momentin e shpërthimit, brenda banesës ndodheshin bashkëshortët, të cilët kanë arritur të dalin në kohë pa pësuar lëndime. Kryefamiljari ka rrëfyer momentet e panikut pas shpërthimit, duke deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk di kujt mund t’i atribuohet kjo ngjarje.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet. Autoritetet po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit.