Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Lezhë, duke shkaktuar dëme materiale, por pa persona të lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse është vendosur pranë banesës së shtetasit me iniciale M.Gj., në fshatin Rrilë. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në pronë, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit, si dhe për të identifikuar autorët.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak javë pas një episodi të ngjashëm në të njëjtën zonë. Më 21 maj, një sasi lënde shpërthyese u vendos në vilën e Tom Çungut, duke shkaktuar gjithashtu dëme materiale. Edhe për atë rast, autorët nuk janë identifikuar ende.