Rama sfidon protestuesit: “Edhe 500 mijë veta të dalin në shesh nuk mjaftojnë”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.06.2026, 21:02

Gjatë takimit të tij me banorët e Zvërnecit në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t'u përgjigjet me tone të ashpra dhe prerë zërave kritikë dhe protestave që po zhvillohen paralelisht në kryeqytet.

Kreu i qeverisë u shpreh i palëkundur përballë tubimeve, duke deklaruar se numri i protestuesve në shesh nuk mund të përmbysë vullnetin e shumicës që e ka votuar atë dhe Partinë Socialiste në zgjedhje.

Rama theksoi se projektet dhe investimet e qeverisë nuk janë të papritura, por pjesë e programit të shpallur që në fushatë, për të cilin ka marrë një mandat të qartë popullor.

“Jo 5 mijë veta, por 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë. Janë 800 e ca kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS. Ky investim nuk doli sot papritur. Unë e kam thënë në fushatë,” u shpreh kryeministri.

Kryeministri tregoi se sapo ishte kthyer nga Tivati në Malin e Zi për të ardhur direkt në takim, duke e marrë këtë zonë si shembull të transformimit përmes turizmit. “Tivati ishte vendi më i pazhvilluar në Mal të Zi, nuk shkonin turistë se ishte bazë ushtarake. Në Tivat, të gjithë ata që takova atje ishin malazezë,” tha ai, duke nënkuptuar se zhvillimi turistik mban qytetarët në vend.

Nga ana tjetër, Rama nuk i kursye ironitë për kërkesat ekonomike të protestuesve në Tiranë, duke pretenduar se pagat në sektorin e turizmit në Shqipëri janë tashmë konkurruese me rajonin.

“Këta që kanë dalë të protestojnë i duan pagat si në Amerikë mbase. I duan si në Manhatan. Nuk e di çfarë duan këta. Pagat në sistemin e turizmit tonë janë si në Greqi, ose më shumë se në Greqi. Këtu nuk është: ‘Sa të të jap?’. Këtu është: ‘Hajde të punosh’,” përfundoi Rama.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit