Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka asgjë për të negociuar lidhur me projektin në Zvërnec, por është i gatshëm të dëgjojë dhe të dialogojë me qytetarët që kanë kundërshtime.
Gjatë takimit me banorët e zonës, Rama iu referua një përballjeje të mëparshme me protestuesit, duke kujtuar se ata kishin refuzuar ftesën për bisedime. Sipas tij, dialogu është i mirëpritur, por jo negociatat për çështje që ai i konsideron të qarta.
“Në atë takim pyeta se kush donte të fliste, por përgjigjja ishte se nuk donin të negocionin. Edhe unë nuk kam çfarë të negocioj me askënd, por për të biseduar jam gjithmonë i gatshëm”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama theksoi se nuk i shmanget përballjes me qytetarët apo kundërshtarët e tij politikë, duke shtuar se kritikat dhe sulmet ndaj tij nuk ndikojnë në qëndrimet që mban. Ai tha se nuk ka frikë nga debatet publike dhe se përpjekjet për ta larguar nga politika nuk e shqetësojnë.
“Nuk kam frikë të përballem me askënd. Ata që mendojnë ndryshe nuk ma ndryshojnë mendimin, madje më japin më shumë energji. Ndërsa ata që duan të më largojnë, do të duhet të presin edhe gjatë”, deklaroi Rama gjatë takimit me banorët e Zvërnecit.