Protestat e ditëve të fundit të rinisë shqiptare kanë arritur të thyejnë heshtjen e mediave ndërkombëtare dhe të tërheqin vëmendjen e disa prej emrave më të njohur të gazetarisë botërore. Reuters, El País, VG, Balkan Insight, Al Jazeera dhe media të tjera kanë raportuar mbi revoltën qytetare që ka shpërthyer kundër projektit në Zvërnec dhe ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura.
Megjithatë, mënyra se si po pasqyrohet kjo lëvizje ngre një pyetje të madhe: a po tregohet e gjithë e vërteta për arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë? Pothuajse të gjitha raportimet ndërkombëtare fokusohen te mbrojtja e mjedisit dhe debati mbi zhvillimin urbanistik, ndërsa injorojnë një realitet shumë më të ashpër që ka shtyrë shqiptarët drejt revoltës, duke fshehur pakënaqësitë e tyre ndaj politikës së vjetër e cila i ka mbytur shqiptarët deri më sot.
Pak prej tyre flasin për varfërinë që ka kapluar vendin, për pensionistët që mezi mbijetojnë, për spitalet që vuajnë mungesën e kushteve bazë, për familjet që nuk përballojnë dot koston e jetesës, për sigurinë ushqimore që prej vitesh është kthyer në shqetësim publik apo për qytetarët që kanë parë shtëpitë dhe pronat e tyre të preken nga projekte të ndryshme zhvillimore.
Po aq e rrallë është edhe vëmendja ndaj padrejtësive që kanë tronditur opinionin publik ndër vite. Media ndërkombëtare ka raportuar shpesh për Shqipërinë kur bëhej fjalë për krimin e organizuar, trafikun e drogës apo korrupsionin, por shumë më pak kur qytetarët denonconin abuzimet e pushtetit, shkeljen e të drejtave të tyre apo tragjeditë që kanë goditur familje të tëra.
Në këtë kuptim, protesta e sotme nuk është thjesht një betejë për natyrën. Ajo është shprehje e një pakënaqësie shumë më të thellë, e krijuar nga vite të tëra zhgënjimi, pabarazie dhe mungese besimi te institucionet. Zvërneci mund të ketë qenë shkëndija që ndezi revoltën, por zemërimi i qytetarëve buron nga probleme shumë më të mëdha sesa një projekt i vetëm.
Ndërsa mediat e huaja vazhdojnë të fokusohen te dimensioni mjedisor i protestës, mijëra shqiptarë ndihen të pashqetësuar se hallet që i prekin çdo ditë vazhdojnë të mbeten jashtë objektivit të kamerave ndërkombëtare. Për ta, beteja nuk është vetëm për të mbrojtur një lagunë apo një pyll, por për të mbrojtur vetë të drejtën për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre.