Oligarku Pandeli Carapuli është paraqitur në SPAK, në kuadër të hetimeve që lidhen me një dosje të rëndësishme korrupsioni dhe pastrimi parash, ku përfshihet kompania e tij “Eurocol” dhe procedura të zhvilluara në Albcontrol.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme, kompania “Eurocol” ka përfituar tendera gjatë kohës kur institucionin e drejtonte ish-drejtoresha e Albcontrol, Belinda Balluku. Hetuesit dyshojnë se në këmbim të favorizimit në këto procedura prokurimi, është dhënë një përfitim i paligjshëm në formën e një vile luksoze në fshatin Gjilekë, Dhërmi, në kompleksin “White Rocks”.
SPAK pretendon se vila, me vlerë rreth 145 mijë euro, është përfituar si ryshfet dhe më pas është tentuar të fshihet përmes kontratave dhe marrëveshjeve fiktive, duke përdorur edhe emra të tretë.
Në këtë skemë, sipas hetimit, janë përfshirë edhe veprime juridike që synonin të maskonin pronësinë reale të pasurisë, ndërsa vila është sekuestruar me vendim të Prokurorisë së Posaçme si pjesë e hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK ka ashpërsuar akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres, e cila tashmë hetohet për disa vepra penale që lidhen me procedurat e prokurimit publik dhe përfitimet e dyshuara të parregullta.