Familja e efektivit të policisë, Enea Mekolli, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë operacionit në Maliq, ka zhvilluar sot ceremoninë e homazheve, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Pas përfundimit të ceremonisë, xhaxhai i policit të ndjerë, Hazbi Mekolli, hodhi akuza të rënda lidhur me mënyrën se si ishte organizuar aksioni për kapjen e personit të shumëkërkuar, Braçellari. Ai pretendoi se efektivët janë dërguar në operacion pa masat e nevojshme të sigurisë dhe kërkoi që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.
“Kanë shkuar pa asnjë lloj mbrojtjeje. Ai që ka dhënë urdhrin për këtë operacion duhet të dalë para ligjit dhe të japë llogari. Në aksion kanë qenë vetëm gjashtë efektivë, ndërsa forca të tjera policie kanë mbërritur më pas”, deklaroi Hazbi Mekolli.
Sipas familjarëve, ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi planifikimin dhe ekzekutimin e operacionit që i kushtoi jetën efektivit të ri të policisë.