Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat kundër projektit në Zvërnec nuk lidhen me shqetësime mjedisore, por i cilësoi si pjesë të një veprimtarie që ai e përshkroi si “luftë hibride”, duke theksuar se pas tyre fshihen iraninët. Ai foli gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, ku gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përgjegjësive që secili vend duhet të mbajë.
"Ky nuk është vetëm një debat mjedisor. Është edhe çështje e një lufte hibride. Ka armiq të Shqipërisë që i njohim mirë. Regjimi iranian, i përfshirë prej kohësh në sulme kibernetike kundër vendit tonë, është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativën se projekti synon sjelljen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri", tha Rama.
Rama kundërshtoi gjithashtu pretendimet për përmbajtjen e projektit, duke deklaruar se ajo nuk përputhet me atë që është paraqitur publikisht dhe se janë shpërndarë materiale të rreme që kanë krijuar perceptime të gabuara mbi investimin. Sipas tij, për sa kohë nuk ekziston një projekt i miratuar, nuk ka bazë për debat mbi çështjen.
Gjatë ditëve të fundit, janë zhvilluar pesë protesta radhazi kundër ndërtimit të kompleksit turistik në zonën e Zvërnecit, ndërsa për sot është paralajmëruar protesta e gjashtë. Protestuesit kërkojnë anulimin e çdo nisme që sipas tyre dëmton ekosistemin e Lagunës së Nartës dhe territorin përreth, ndërsa disa prej tyre kanë artikuluar edhe kërkesa politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit.