Dubai dorëzon 6 të kërkuar nga drejtësia shqiptare, mes tyre emra të njohur të botës së krimit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.06.2026, 12:58

Gjashtë shqiptarë të kërkuar ndërkombëtarisht pritet të ekstradohen sot nga Dubai në Shqipëri, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, personat në fjalë akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave dhe mashtrimin kompjuterik, të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.

Mes tyre ndodhet edhe Kristi Qirici, i njohur edhe me identitetet Jetmir Hoxhaj dhe Jetmir Qirici, si dhe Shkëlzen Kraja. Të dy dyshohen si pjesëtarë të një grupi kriminal që, sipas hetimeve, kultivonte kanabis në zonën e Sarandës gjatë viteve 2019–2021 dhe më pas e trafikonte drejt Greqisë. Kristi Qirici është gjithashtu vëllai i biznesmenit Edmond Papa, i vrarë në një atentat në dhjetor të vitit 2022.

Nga Dubai pritet të ekstradohen edhe Aleks Pepaj dhe Ilir Lazri, të cilët akuzohen si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Jetmir Pepa, i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, Merxhan Celiku rezulton i shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik, në kuadër të hetimeve që lidhen me grupin e Amant Josifit.

Në listën e të ekstraduarve është edhe biznesmeni Devit Patrut, i njohur me disa identitete, mes tyre Elidon Skëndaj, Devid Boraj dhe Fatmir Pepaj. Ai kërkohet nga SPAK si i dyshuar për përfshirje në grupin kriminal të Ermir Ndreajt, i njohur ndryshe si “Cincos”, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës drejt vendeve europiane.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit