Me 6 fëmijë në mes të rrugës, qytetari denoncon: Bashkia e Durrësit më shembi barakën

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 05.06.2026, 12:56

Një denoncim prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në zonën e Ish-Kënetës, në rrugën “Vala e Detit” në Durrës, i cili pretendon se Bashkia e Durrësit i ka shembur barakën ku strehohej së bashku me familjen e tij të madhe.

Sipas qytetarëve që kanë dërguar pamjet dhe informacionet në redaksinë tonë, bëhet fjalë për një familje në vështirësi ekonomike, ku kryefamiljari jeton me 6 fëmijë, ndërsa në familje ndodhet edhe një motër me aftësi të kufizuara. Ata pretendojnë se, për shkak të mungesës së një zgjidhjeje strehimi nga institucionet, ishin detyruar të ndërtonin një barakë të thjeshtë me dërrasa për të pasur një strehë mbi kokë.

Sipas denoncuesit, familja kishte vite që priste një banesë nga shteti, por nuk kishte marrë asnjë zgjidhje konkrete. Ndërkohë, ai shprehet se prej 5 vitesh e 6 muajsh nuk ka përfituar bonus qeraje, duke e bërë të pamundur pagesën e qirasë dhe duke përfunduar jashtë banesës ku jetonte më parë.

Në mesazhin e tij për JOQ Albania, qytetari shprehet:

"Me prishin barakën time, jam me 6 fëmijë. Jam 5 vite e 6 muaj pa bonus qeraje. Kam 3 fëmijë në moshë, më kanë hequr nga qeraja sepse nuk kam mundur ta paguaj. I zoti i shtëpisë më ka nxjerrë jashtë. Jam në rrugë të madhe. Ju përshëndes të gjithëve tek JOQ që të më ndihmoni në këtë rast, sepse jam në gjendje kritike për jetën."

Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe shqetësim te banorët e zonës, të cilët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të japin një zgjidhje për familjen, e cila pretendon se ka mbetur pa asnjë strehim.

JOQ Albania pret një reagim zyrtar nga Bashkia e Durrësit lidhur me pretendimet e ngritura nga qytetari dhe arsyet që kanë çuar në shembjen e objektit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit