Hetimet për ngjarjen tragjike të ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku gjatë një shkëmbimi zjarri humbi jetën efektivi i policisë Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur Edison Adri, kanë zbuluar detaje të reja mbi armatimin e përdorur nga Violand Braçellari.
Mësohet se në stanin ku ishte strehuar Braçellari janë gjetur tre armë: kallashnikovi me të cilin dyshohet se qëlloi ndaj forcave të policisë, një pushkë model 56 dhe një armë gjahu tip çifte. Gjatë kontrolleve nuk është sekuestruar asnjë sasi municioni, çka i ka shtyrë hetuesit të dyshojnë se ai kishte shfrytëzuar të gjithë municionin që dispononte gjatë përplasjes me efektivët e angazhuar në operacion.
Në vendstrehimin e tij është gjetur gjithashtu një radio policie. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se, gjatë operacionit, efektivët kanë ndërprerë komunikimin përmes radiove të tyre për të shmangur çdo ndërhyrje apo përfitim informacioni nga ana e Braçellarit.
Ndërkohë, verifikimet e kryera nga Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbi mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të operacionit nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk kanë evidentuar shkelje proceduriale apo mosrespektim të protokolleve.
Lidhur me faktin se nuk u kërkua mbështetja e forcave speciale RENEA apo e Forcës Operacionale, grupi hetimor vlerëson se Policia e Korçës kishte bërë një analizë të drejtë të nivelit të rrezikshmërisë së Braçellarit. Ai rezultonte i dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, por jo për krime të rënda kundër jetës. Sipas hetuesve, aktivizimi i forcave RENEA bëhet mbi bazën e vlerësimit konkret të çdo rasti dhe nuk përbën një procedurë të detyrueshme për çdo operacion policor.