Momente tensioni dhe dhimbjeje janë regjistruar gjatë homazheve për efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni policor në Maliq.
Gjatë ceremonisë mortore në Pogradec, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, është përballur me reagimin e familjarëve të efektivit të ndjerë, të cilët mes lotësh dhe dhimbjes së madhe kanë kërkuar llogari për ngjarjen tragjike.
Xhaxhai i Enea Mekollit iu drejtua kreut të shtetit me tone të ashpra, duke akuzuar institucionet për dështim në përballjen me elementët kriminalë dhe duke kërkuar masa më të forta kundër krimit.
“E latë këtë vend në dorë të kriminelëve. Na mbylli derën, mos i lini kriminelët. Ka pasur tre herë tentativë për ta arrestuar, duhet të merrni masa. Po na vrisni, bëhuni të zotët. E latë këtë vend në dorë të kriminelëve, po sundojnë në çdo cep të Shqipërisë”, është shprehur ai.
Deklarata vjen një ditë pas ngjarjes së rëndë në Lozhan të Maliqit, ku efektivi Enea Mekolli u vra gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar, ndërsa një tjetër efektiv mbeti i plagosur.
Homazhet për policin e rënë në detyrë po zhvillohen mes emocioneve të forta, ndërsa familjarë, kolegë dhe qytetarë i japin lamtumirën e fundit 34-vjeçarit.