Pandeli Carapuli është një nga emrat më të njohur oligarkikë të sektorit të ndërtimit në Shqipëri, i denoncuar shpeshherë nga JOQ Albania për përfitimet në rang të gjerë qeveritar për bizneset e tij.
Pronari i kompanisë “Eurocol”, është rikthyer në qendër të vëmendjes publike dhe hetimore, mes një rrjeti akuzash që përfshijnë kontrata publike, leje ndërtimi strategjike dhe dyshime për përfitime të paligjshme.
Në diskursin publik, Carapulit 73 vjeç duket se i ëahtë prishur qejfi nga gurët e bardhë në Dhërmi për t'u paraqitur në SPAK. Lidhjet e tij me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama kanë ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi mënyrën e shpërndarjes së lejeve dhe projekteve publike. Së fundmi, këto dyshime janë shoqëruar edhe me zhvillime konkrete hetimore.
Së fundmi SPAK ka ngritur dyshime të arsyeshme se Carapuli mund të jetë i përfshirë në një mekanizëm që synonte fshehjen e një vile të lidhur me ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën hetim për “shkelje të barazisë në tendera”, “korrupsion” dhe “pastrim parash”.
Sipas hetimeve, vila dy-katëshe ndodhet në resortin “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, një kompleks i ndërtuar nga kompania “Eurocol”. Formalisht, ajo figuron në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare, por hetuesit dyshojnë se në fakt është në posedim të Ballukut.
SPAK pretendon se prona mund të jetë përfituar si rezultat i favoreve të dyshuara në tendera publikë, përfshirë një kontratë rreth 1 milion euro për kompaninë e Carapulit në kohën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”.
Prej më shumë se një muaji, biznesmeni ndodhet gjithashtu nën masën e “ndalimit për të dalë jashtë shtetit”, të vendosur nga Gjykata e Tiranës. Ai është marrë nën hetim për ndërtim të paligjshëm në një kompleks rezidencial në periferi të kryeqytetit.
Emri i Carapulit lidhet prej vitesh me projekte të rëndësishme publike dhe private, përfshirë edhe ndërtimin e rezidencës familjare të kryeministrit Edi Rama në Surrel, e njohur në opinion si “Sarajet e Surrelit”.
Kryeministri nuk ka bërë publike shpenzimet për ndërtimin e banesës, ndërsa në deklaratat e pasurisë është shënuar se ajo është ngritur mbi toka të blera nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, me të ardhurat e saj si konsulente financiare.
Nga ana tjetër, opozita ka hedhur akuza se Carapuli mund ta ketë ndërtuar banesën pa pagesë, në këmbim të përfitimeve të tjera nga qeveria, një pretendim që nuk është provuar zyrtarisht.
Roli i shtetit në projektet e Carapulit ka qenë po ashtu në qendër të vëmendjes.
Në mars 2014, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), i drejtuar në atë kohë nga Edi Rama, miratoi leje ndërtimi për resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Himarës, në favor të “Eurocol”.
Më pas, në vitin 2019, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha projektit statusin “investitor strategjik”, duke i hapur rrugë lehtësirave infrastrukturore dhe mbështetjes nga fondet publike.
Vetëm disa muaj më vonë, qeveria miratoi edhe një vendim që i lejonte kompanisë përdorimin e sipërfaqes së bregdetit për një periudhë 20-vjeçare, në funksion të resortit.
Emri i Carapulit shfaqet edhe në projekte të tjera në kryeqytet. Në vitin 2022, kompania “Eurocol” mori leje nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e kompleksit rezidencial “Park Life” në Farkë.
Në vitin 2025, bashkia miratoi një kërkesë për ndërtimin e një barriere zhurmë-bllokuese, por hetimet e Prokurorisë së Tiranës, të nisura në janar 2026, zbuluan se në terren ishte ndërtuar një mur betonarme rreth 100 metra i gjatë dhe 4 metra i lartë, pa lejen përkatëse të ndërtimit.
Për këtë rast, Carapuli u mor gjithashtu nën hetim për “ndërtim të paligjshëm” dhe ndaj tij u vendos masa e ndalimit të daljes jashtë vendit.