Violand Braçellari, i shpallur në kërkim prej rreth një dekade, kishte ngritur një stan në një kodër të zonës së Lozhanit, ku merrej me rritjen e bagëtive. Në pronën e tij ishin ndërtuar stalla dhe ambiente të tjera të nevojshme për aktivitetin blegtoral.
Sipas burimeve, familjarë të Braçellarit kanë përfituar ndër vite fonde nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) me drejtuese Ardita Kuçi për shtimin e numrit të krerëve të bagëtive. Konkretisht, nëna e tij, Berdane Braçellari, ka përfituar 500 mijë lekë, ndërsa vëllai, Daniel Braçellari, 497.500 lekë.
Braçellari, i dënuar në mungesë me 10 vite burg për trafikim dhe prodhim të lëndëve narkotike, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai jetonte prej vitesh në stan, ku kishte punësuar edhe një çoban. Pikërisht ky i fundit dyshohet se u bë shkaku që autoritetet siguruan indicie për vendndodhjen e të shumëkërkuarit.