Katër persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël u rrëzua pranë qytetit Medulin, në gadishullin e Istrias në bregdetin e Kroacisë.
“Sipas informacionit të deritanishëm, katër persona kanë vdekur”, deklaruan autoritetet policore, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e aksidentit.
Mediat kroate raportojnë se operacionet e kërkim-kontrollit dhe shpëtimit kanë vazhduar në zonë, ndërsa fillimisht ishte raportuar për dy persona të tjerë të zhdukur. Sipas të dhënave paraprake, aeroplani ishte nisur nga Gjermania, ndërsa detajet e plota të fluturimit mbeten ende të paqarta.
Agjencia shtetërore HINA njoftoi se bëhet fjalë për një avion gjerman që ishte nisur nga Austria.
Fotografi nga vendi i ngjarjes tregojnë rrënojat e avionit në një fushë, me praninë e policisë dhe zjarrfikësve. Një pilot lokal, Nijaz Delic, tha për portalin Index se avioni “u rrotullua në ajër dhe më pas u përplas në tokë”.
Numri i saktë i personave që ndodheshin në bord nuk është konfirmuar ende, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit po vijojnë.