Autoritetet kanë njoftuar kufizime të përkohshme në qarkullim në zonën e Rrethrrotullimit të Treshit, pranë Kthesës së Kamzës, për shkak të punimeve që po zhvillohen për linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas.
Nga data 6 deri më 9 qershor 2026, lëvizja e mjeteve do të ndryshohet dhe në disa segmente do të bllokohet përkohësisht, duke u devijuar sipas një skeme të posaçme trafiku.
Sipas autoriteteve, ndërhyrjet do të realizohen me faza të ndara, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi dhe të garantohet siguria gjatë gjithë procesit të punimeve.
Faza 1
Bllokim total i qarkullimit nga 06.06.2026.
ora 24:00 – 07.06.2026 ora 05:00.
Mjetet që do të vijnë për në Tiranë do të kalojnë nga rruga Petrit Radovicka
Mjetet nga Tirana për tek rrethrrotullimi do të kthehen tek Kthesa e Kamzës, për të vijuar në rrugën dytësore industriale ose në autostradë në drejtim të Vorës.
Faza 2
Devijimi në korsinë ana e Tiranës.
Punimet do të kryhen gjatë 07.06.2026 ora 05:00 – 15:00 ndërkohë qarkullimi hapet pjesërisht me dy drejtime lëvizjeje (1 korsi për çdo kah).
Faza 3
Devijimi në korsinë ana e Durrësit.
Punimet do të kryhen 07.06.2026 ora 23:00– 09.06.2026 ora 10:00.
Trafiku devijohet plotësisht në anën e Durrësit, duke funksionuar me dy kahe lëvizjeje (1 korsi për secilin kah).
“Hekurudha, kontraktori i punimeve dhe Policia Rrugore kanë marrë masa për menaxhimin e trafikut. Kërkojmë mirëkuptimin e shoferëve dhe banorëve të zonës. Lutemi të respektoni sinjalistikën dhe planifikoni levizjen paraprakisht”, thuhet në njoftim.