Vrasja e Gjin Ndojit, dëshmon biznesmeni Pëllumb Gjoka: Nuk keni prova, më keni futur në hasmëri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.06.2026, 13:57

Pëllumb Gjoka ka dëshmuar këtë të enjte para gjykatës në procesin e dosjes së bujshme “Metamorfoza”, duke mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen në vrasjen e Gjin Ndojit, një nga episodet për të cilat akuzohet nga Prokuroria.

Një prej shtatë të pandehurve të dosjes së ngritur mbi komunikimet e platformës Sky ECC, Gjoka deklaroi se ndaj tij është ngritur një akuzë e padrejtë dhe se nuk ekziston asnjë provë që ta lidhë me ngjarjen kriminale.

“Siç e dini, akuzohem për vrasjen e Gjin Ndojit. Akuzohem se kam gjetur vendin ku do rrinte makina dhe se kam vuar e marrë vrasësit. Kushdo që ka organizuar, marrë pjesë, folur një herë të vetme që të vritet, kushdo që ka gjetur vendin e makinës ka bërë një veprim kriminal. Por më kriminale është ngritja e akuzës ndaj meje”, deklaroi ai.

Gjoka u shpreh se është dënuar në opinionin publik shumë përpara se të ketë një vendim gjykate.

“Herën e kaluar më pyetët a jam i dënuar. Unë de facto jam i dënuar, se më është bërë një gjyq publik. Çfarë nuk kam dëgjuar. Më kanë akuzuar për trafik, për vrasje, çfarë epitetesh kam dëgjuar. Gjyqet publike nuk janë për të zbardhur të vërtetën. Gjyqet publike bëhen për t’i bërë presion gjyqtarëve”, tha ai.

Duke folur për aktivitetin e tij ndër vite, Gjoka theksoi se ka qenë i angazhuar prej tre dekadash në biznes, kryesisht në sektorin e lokaleve të natës dhe lojërave të fatit, ndërsa pretendoi se nuk e kupton arsyen e akuzave ndaj tij.

“Unë kam 30 vjet që merrem me biznes. Bizneset kryesore i kam pasur lokalet e natës dhe lojërat e fatit. Janë biznese që paragjykohen. Unë jam munduar të jem i kujdesshëm, të shtrij këmbët sa kam jorganin. Për këtë jam habitur, nuk di ku kam shkelur. Kam 3 vjet në paraburgim e nuk di çfarë kam bërë”, u shpreh ai.

Në deklaratën e tij, Gjoka akuzoi prokurorët se po vazhdojnë një çështje që sipas tij është e pabazuar, duke shtuar se pasojat e saj kanë prekur jo vetëm atë, por edhe familjen dhe aktivitetet e tij ekonomike.

“Prokurorët e dinë që janë gabim, por vazhdojnë të mendojnë të njëjtën gjë. Në hasmëri më kanë futur, aktivitetin ma kanë bllokuar. Për të futur në burg një njeri është përgjegjësi e madhe. Në burg je një i vdekur që ecën”, deklaroi Gjoka.

Ai lëshoi edhe akuza të forta për pasojat që, sipas tij, mund të sjellin hetime të tilla, duke paralajmëruar për tensione dhe konflikte të mundshme.

“Janë shumë familje të ngujuara edhe unë ju garantoj që historia që kanë nisur këta, do vazhdojë. Këtu do të vriten njerëz, por përgjegjësia e kujt është. Këta po i detyrojnë njerëzit të bëhen kriminelë. Jo të futesh në burg e në hasmëri e të bllokohet ekonomia nga thashethemet”, përfundoi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit