Ky është stani në zonën malore të Lozhanit, në Bashkinë Maliq, ku u zhvillua operacioni policor që përfundoi me një përplasje të armatosur mes forcave të rendit dhe një personi të shpallur në kërkim. Në këtë zonë të izoluar, forcat “Shqiponja” kishin shkuar për të arrestuar Braçellarin, si pjesë e një aksioni për kapjen e një të dyshuari me rrezikshmëri të lartë.
Brenda stanit fshihej Violand Braçellari, i dënuar më parë për trafik narkotikësh dhe me precedentë penalë, i cili sipas të dhënave paraprake ka refuzuar të dorëzohet gjatë rrethimit nga policia. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë në vend Enea Mekollin dhe duke plagosur rëndë Edison Adrin, ndërsa më pas është neutralizuar dhe arrestuar pas shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit.
Burime nga terreni bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në kushte të vështira terreni malor, ku policia kishte rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej i kërkuari. Sipas burimeve, efektivët e 'Shqiponjave' nuk kishin veshur jelekun antiplumb gjatë marrjes pjesë në operacionin për kapjen e Braçellarit.