Investimi “sa për sy e faqe” në Panaja, këmbësorët detyrohen të ecin në rrugë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 03.06.2026, 23:20

Banorët e Panajasë në Vlorë kanë ngritur shqetësime për një investim të fundit në zonë, ku një trotuar i sapondërtuar duket se është projektuar pa marrë në konsideratë nevojat reale të këmbësorëve.

Siç shihet në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, trotuari jo vetëm që është tepër i ngushtë për kalimin normal të qytetarëve, por në mes të tij është vendosur edhe një shtyllë ndriçimi, duke e bërë lëvizjen edhe më të vështirë. Për të vazhduar rrugën, këmbësorët detyrohen të zbresin në segmentin anësor të rrugës dhe më pas të rikthehen sërish në trotuar.

Banorët shprehen se investimi, i cili duhej të rriste sigurinë dhe komoditetin e lëvizjes, ka prodhuar efektin e kundërt. Sipas tyre, gjerësia e kufizuar e trotuarit dhe vendosja e shtyllës në mes të tij tregojnë mungesë planifikimi dhe kontrolli gjatë zbatimit të projektit.

Ata kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe të ndërhyjnë për ta bërë trotuarin të përdorshëm dhe të sigurt për këmbësorët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit