Protesta e katërt kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec është shoqëruar me tensione në qendër të Tiranës, ku mijëra qytetarë dhe aktivistë u përballën me një perimetër të gjerë sigurie të ngritur nga policia.
Me argumentin e masave të shtuara për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael, autoritetet kishin vendosur gardhe metalike, mjete policore dhe automjete ujëhedhëse në zonën e Urës së Lanës, në itinerarin që protestuesit ndjekin zakonisht drejt Kryeministrisë. Prania e pazakontë e forcave të rendit u interpretua nga protestuesit si një përpjekje për të bllokuar marshimin e tyre.
Megjithatë, skenari për të kufizuar lëvizjen e turmës nuk funksionoi. Pas grumbullimit të protestuesve përballë gardheve dhe kërkesave të vazhdueshme për hapjen e rrugës, situata u tensionua për disa minuta me shtyrje dhe debate mes qytetarëve dhe efektivëve. Presioni i protestuesve bëri që policia të tërhiqej gradualisht nga pozicionet e saj.
Fillimisht u hap kordoni metalik që bllokonte kalimin, ndërsa më pas nga zona u larguan edhe automjetet ujëhedhëse dhe mjetet e tjera policore. Tërheqja e forcave të rendit u prit me brohoritje nga pjesëmarrësit, të cilët e konsideruan këtë moment si një fitore të protestës dhe një dështim të përpjekjeve për të penguar marshimin drejt Kryeministrisë.
Sot shënohet dita e katërt radhazi e protestave kundër investimit të parashikuar në Zvërnec. Qytetarë, aktivistë mjedisorë, të rinj dhe familjarë u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt selisë së qeverisë, ku kërkuan anulimin e projektit.