Gjingjiqi kërkoi rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, sot emri i tij u vendos në një rrugë në veri

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.06.2026, 18:18

Vendosja e emrit të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në një rrugë në Mitrovicën e Veriut ka nxitur reagime dhe debat publik në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje vendosën tabelën me emrin e Gjingjiqit në një rrugë në veri të vendit. Sipas mediave lokale, në ceremoninë e vendosjes së tabelave ishte e pranishme edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli.

Megjithatë, emri i Gjingjiqit lidhet edhe me një episod të rëndësishëm politik pas luftës në Kosovë.

Në vitin 2003, katër vjet pas largimit të forcave serbe nga Kosova pas ndërhyrjes së NATO-s, kryeministri i atëhershëm i Serbisë i kishte kërkuar Aleancës Veriatlantike lejimin e rikthimit të forcave serbe në territorin e Kosovës.

Sipas raportimeve të BBC-së të asaj kohe, Gjingjiq i kishte dërguar një letër komandantit të NATO-s për Evropën Juglindore, Admiralit Gregory Johnson, ku shprehte shqetësimin për mundësinë që UNMIK-u t’u transferonte disa përgjegjësi të sigurisë autoriteteve lokale shqiptare në Kosovë.

Ai argumentonte se një zhvillim i tillë mund të ndikonte në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

Në letrën e tij, Gjingjiq propozonte që rreth 1 mijë ushtarë serbë të riktheheshin në Kosovë, duke pretenduar se kjo do të ndihmonte në mbushjen e një vakumi të mundshëm sigurie në rast se NATO do të zvogëlonte praninë e saj ushtarake për shkak të zhvillimeve të asaj kohe në Irak.

Megjithatë, përfaqësuesit e forcave ndërkombëtare në Kosovë e hodhën poshtë këtë ide, duke theksuar se nuk ekzistonte nevoja për praninë e ndonjë ushtrie tjetër në Kosovë përveç misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit