Shqipëria dhe Izraeli do të përballen mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, në atë që do të jetë dueli i shtatë në histori mes dy kombëtareve. Kjo sfidë sjell një veçanti të rëndësishme, pasi për herë të parë dy skuadrat do të ndeshen në një takim miqësor. Gjashtë përballjet e mëparshme kanë qenë të gjitha të vlefshme për eliminatoret e Kampionateve Botërore dhe Europiane.
Bilanci historik favorizon Izraelin, që numëron katër fitore, ndërsa kuqezinjtë kanë triumfuar në dy raste. Megjithatë, vëmendja kryesore e mbrëmjes do të jetë te debutimi i trajnerit të ri të Kombëtares, Rolando Maran. Tekniku italian nis zyrtarisht aventurën e tij në krye të Shqipërisë, duke dhënë sinjalet e para të një procesi rinovimi pa ndryshime të menjëhershme radikale.
Për herë të parë me ekipin A janë grumbulluar mesfushori i Carrarese, Luis Hasa, dhe portieri i Partizanit, Pano Qirko. Nga ana tjetër, Maran është detyruar të përballet me disa mungesa të rëndësishme, pasi për shkak dëmtimesh nuk do të ketë në dispozicion Tomas Strakoshën, Ernest Muçin, Rey Manajn dhe Nazmi Gripshin. Situata bëhet edhe më sfiduese duke pasur parasysh se italiani ka pasur vetëm pak ditë kohë për të punuar me grupin, i cili u kompletua vetëm më 1 qershor.
Edhe Izraeli vjen në Tiranë me një mungesë të rëndësishme në pankinë. Trajneri i parë, Ran Ben Shimon, nuk do të jetë i pranishëm, ndërsa skuadra do të drejtohet nga ndihmësi i tij, Gal Cohen. Ky i fundit ka vlerësuar Shqipërinë si një kundërshtar me cilësi dhe ka paralajmëruar një ndeshje të vështirë për ekipin izraelit.
Ashtu si në sfidat e kaluara mes dy kombëtareve, edhe këtë herë masat e sigurisë janë maksimale. Forca të shumta policie kanë qenë të angazhuara rreth stadiumit që prej një dite më parë, ndërsa kontrollet janë kryer në çdo ambient të impiantit me ndihmën e qenve anti-eksplozivë. Autoritetet kanë njoftuar se rrugët përreth stadiumit do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të takimit, ndërsa akset kryesore të kryeqytetit do të mbeten të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Sa i përket aspektit taktik, Maran njihet për preferencën e tij ndaj skemës 4-3-1-2, një rreshtim që mbështetet te kontrolli i mesfushës dhe te një organizator loje pas dy sulmuesve.