SPAK “fundos” biznesmenët e Veliajt, kërkon burg për Fatmir Bektashin dhe Elman Abulen

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.06.2026, 14:58

Prokuroria e Posaçme ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në dosjen që tronditi Bashkinë e Tiranës, duke paraqitur në GJKKO pretencën për një pjesë të veçuar të hetimit ndaj bashkëpunëtorëve të dyshuar të kryebashkiakut Erion Veliaj. Të pandehurit kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar, ndërsa SPAK ka kërkuar dënime me burg, gjoba dhe masa ndaluese për personat që konsiderohen pjesë e skemës nën hetim.

Për biznesmenin Fatmir Bektashi, SPAK kërkoi 1 vit burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj, si dhe pezullimin e ushtrimit të funksioneve publike. Ndërkohë, kompania e tij “Kontakt shpk” rrezikon një gjobë prej 583 mijë lekësh.

Për Ina Goxhajn u kërkua dënimi me 7 vite burg, i reduktuar në 4 vite e 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar, me kërkesën që dënimi të pezullohet dhe të zëvendësohet me 5 vite shërbim prove.

Një dënim identik kërkohet edhe për biznesmenin Elman Abule, për të cilin SPAK kërkoi 7 vite burg, që zbresin në 4 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.

Për Frosina Bollon u kërkua 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj, ndërsa organizata “Frobolus” përballet me një gjobë prej 500 mijë lekësh, e cila me uljen ligjore zbret në 333 mijë lekë.

Për Adela Kondakçin, SPAK kërkoi 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj, duke kërkuar më pas përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit.

Në listën e të pandehurve figuron edhe deputetja Klotilda Bushka, për të cilën është kërkuar gjobë prej 600 mijë lekësh, që me gjykimin e shkurtuar reduktohet në 400 mijë lekë. Për Flutura Xhanin është kërkuar gjobë prej 60 mijë lekësh, e reduktuar në 40 mijë lekë.

Ndërsa për Fatjon Baçin, SPAK kërkoi 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj me gjykimin e shkurtuar, duke kërkuar më tej pezullimin e dënimit dhe kalimin e tij në shërbim prove.

Pretenca e SPAK vjen në një moment kyç të hetimeve që kanë vendosur nën presion të fortë rrethin e ngushtë të njerëzve të lidhur me kryebashkiakun Erion Veliaj. Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila do të vulosë fatin e personave që prokurorët i konsiderojnë pjesë të skemës së dyshuar korruptive që ka qenë në qendër të një prej dosjeve më të bujshme të viteve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit