Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar jozyrtarisht fillimin e negociatave për heqjen e roaming-ut me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Vendimi pritet të miratohet zyrtarisht më 4 qershor nga Këshilli i BE-së, pas së cilës mund të nisin negociatat individuale me secilin vend të rajonit. Presidenca qipriote e BE-së ka theksuar mbështetjen e saj për rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për përkushtimin ndaj integrimit të rajonit.
Rregullorja “Roam Like at Home”, e aplikuar prej vitit 2017 në shtetet e BE-së dhe më vonë edhe në Ukrainë e Moldavi, lejon përdorimin e telefonave celularë në vendet e tjera me të njëjtat çmime si në vendin e origjinës, pa tarifa shtesë për thirrje, SMS apo internet. Zyrtarët evropianë presin që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti, dhe në një skenar ideal, heqja e roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mund të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.
Komisioni Evropian ka nënvizuar se gjithçka varet nga gatishmëria e vendeve të rajonit për të përparuar në këto negociata, ndërsa heqja e roaming-ut konsiderohet një nga politikat më të suksesshme të BE-së për qytetarët, duke lehtësuar komunikimin dhe lidhjen e njerëzve në të gjithë Europën.