Me pistoletë lodër i vodhi të moshuarës paratë? Dyshohet se autori u ndihmua nga brenda bankës, iku me vrap

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.06.2026, 14:14

Zbardhen detaje të reja nga grabitja e bujshme e ndodhur pranë filialit të OTP Bank, në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”, ku një person i maskuar me skafandër arriti të largohej me një shumë të madhe parash.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime që arma e përdorur nga autori mund të mos ketë qenë e vërtetë. Kjo pistë po verifikohet pasi sistemi i detektimit të metaleve në hyrje të bankës nuk ka sinjalizuar praninë e një arme zjarri në momentin e hyrjes së grabitësit.

Paralelisht, grupi hetimor po shqyrton mundësinë e përfshirjes së një bashkëpunëtori të brendshëm. Dyshohet se autori mund të ketë pasur informacion të saktë mbi kohën kur viktima do të hynte në bankë për të kryer depozitimin, si edhe mbi vendndodhjen e saj brenda ambienteve të filialit.

Sipas të dhënave paraprake, shuma e marrë nga grabitësi arrin në rreth 5 milionë lekë të rinj, ose 50 milionë lekë të vjetër.

Në kuadër të hetimeve, policia ka vënë në pranga rojën e sigurisë së bankës, ndaj të cilit rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Hetuesit dyshojnë se ai nuk ka reaguar në mënyrën e duhur për të parandaluar ose neutralizuar grabitjen.

Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në arrati. Pas marrjes së parave, ai është larguar me një skuter elektrik, duke përfituar nga rrugicat e zonës për t’u zhdukur pa lënë gjurmë. Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e tij, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjithë skemën e grabitjes dhe personat që mund të jenë përfshirë në të.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit