Bulqizë/ Minatorët bojkotojnë punën, kundërshtojnë ndryshimet për pagën e 13-të

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 03.06.2026, 13:32

Punëtorët e minierës së Bulqizës kanë bojkotuar punën këtë të martë, duke refuzuar të futen në galeri në shenjë proteste ndaj asaj që ata e konsiderojnë cenim të të drejtave të tyre kontraktuale.

Sipas minatorëve, shkak i bojkotit është ndryshimi i mënyrës së përfitimit të pagës së 13-të, një përfitim i parashikuar në kontratat e punës. Ata pretendojnë se kompania po tenton ta heqë ose ta ndryshojë këtë të drejtë, çka ka shkaktuar pakënaqësi të madhe mes punonjësve.

Një minator, i cili kërkoi të mbetet anonim nga frika e humbjes së vendit të punës, tha se asnjë punëtor nuk ka hyrë në minierë gjatë ditës së sotme. Ai akuzon gjithashtu sindikatën se nuk po mbron interesat e punëtorëve dhe se po vepron në favor të kompanisë.

“Sot nuk ka hyrë asnjë punëtor në minierë. Po protestojmë sepse po na preket paga e 13-të, e cila është pjesë e kontratës sonë. Shumë punëtorë nuk flasin publikisht nga frika se mund të largohen nga puna”, shprehet minatori.

Nga ana tjetër, burime pranë kompanisë bëjnë me dije se paga e 13-të nuk do të hiqet, por do të jepet në formën e një shpërblimi të ndarë në dy këste: gjysma në muajin dhjetor dhe gjysma tjetër në qershor të vitit pasardhës.

Minatorët kërkojnë sqarime dhe garanci për respektimin e kontratave të punës, ndërsa presin një reagim zyrtar nga kompania dhe përfaqësuesit sindikalë për zgjidhjen e situatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit