Rama për protestuesit: O Zot fali se nuk dinë ç’bëjnë!

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.06.2026, 13:36

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar përpara selisë së Partisë Socialiste në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, duke publikuar në rrjetet sociale pamje nga tubimi ku dëgjohen thirrje dhe ofendime nga një grup protestuesish.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ka shprehur shqetësim për gjuhën e përdorur gjatë protestës, duke e cilësuar atë si nxitëse të urrejtjes dhe përçarjes. Rama i ka përshkruar protestuesit si “mysafirët e paftuar të natës”, ndërsa ka bërë krahasime me retorika ekstremiste që, sipas tij, kanë lënë gjurmë të errëta në historinë europiane.

Në postimin e tij, Rama ka sjellë edhe një paralelizëm me organizata të njohura për retorikën nacionaliste dhe ekstremiste, duke argumentuar se mesazhe të tilla kanë ngjashmëri me ato që në të kaluarën kanë nxitur urrejtje ndaj kundërshtarëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore.

“Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek. Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste”, shkruan Rama.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit