Gjashtë shtetas shqiptarë kanë pranuar fajësinë në një gjykatë britanike, pasi u zbuluan duke kultivuar kanabis në një objekt industrial të braktisur në Nottinghamshire.
Ata u arrestuan pas një operacioni policor të zhvilluar në një ndërtesë të pabanuar në Botany Avenue, Mansfield. Sipas autoriteteve të Nottinghamshire, në ambientet e godinës u gjetën mbi 4,800 bimë kanabisi në faza të ndryshme të rritjes, me një vlerë të përllogaritur që mund të arrinte në disa milionë paund.
Të pandehurit janë Ardit Gjonaj, 37 vjeç, banues në Smethwick të West Midlands, si dhe Lanti Avapai, 45 vjeç, Elton Salihasi, 41 vjeç, Artu Ruqu, 44 vjeç, Eldis Beneri, 34 vjeç dhe Robert Ruko, 47 vjeç, të cilët rezultojnë pa adresë të përhershme.
Sipas raportimeve të mediave britanike, të gjashtë kanë pranuar akuzën për përfshirje në prodhimin e kanabisit. Me ndihmën e dy përkthyesve të gjuhës shqipe, ata kundërshtuan akuzën e dytë për posedim të drogës së klasit B me qëllim shpërndarjen, akuzë që më pas nuk u ndoq nga prokuroria.
Shpallja e dënimit ishte planifikuar për 2 qershor, por gjyqtari Nigel Godsmark KC vendosi ta shtyjë seancën deri më 30 qershor për shkak të axhendës së ngarkuar gjyqësore. Deri në atë datë, të gjashtë të akuzuarit do të mbeten në paraburgim.
Në një deklaratë të mëhershme, detektivja Millie Gillett tha se policia kishte dyshime se objekti po përdorej për aktivitete të paligjshme, dyshime që u konfirmuan menjëherë sapo efektivët hynë në godinë.
Ajo e cilësoi fermën e zbuluar si një nga më të mëdhatë e hasura së fundmi, me përmasa industriale, duke nënvizuar se lufta kundër veprimtarive kriminale të lidhura me drogën mbetet një prioritet i rëndësishëm për policinë.