“Ju vraftë Zoti, ju vraftë Allahu”, VV gjobitet me 5 mijë e 100 euro për përdorimin e fëmijëve në fushatë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.06.2026, 12:39

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë e 100 euro gjobë për përdorimin e fëmijëve në fushatë zgjedhore.

Saktësisht, rasti ka të bëjë me vajzën rreth 10-vjeçare e cila u ftua në një tubim nga kreu i VV’së, Albin Kurti, për të recituar, ku ndër të tjera përdori shprehje si “Ju vraftë Zoti, ju vraftë Allahu”.

“Pranohen të bazuara ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ZP.Anr.11/2026 e 01.06.2026, dhe ankesa e Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi ZP.Anr.12/2026, e datës 01.06.2026, ashtu që subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatë zgjedhore, i shqiptohet dënimi më gjobë në lartësi prej 5.100 (pesëmijë e njëqind) €”, thuhet në vendim. Në vendimin e PZAP thuhet se përfshirja e fëmijëve në fushata përbën shkelje të të drejtave të tyre.

“Paneli me rastin e vendosjes së lartësisë së dënimit më gjobë si në dispozitiv të këtij vendimi, ka marrë parasysh të gjitha rrethanat si në vijim: se përfshirja e fëmijëve ne fushata zgjedhore përbenë shkelje të te drejtave te tyre, dhe se nuk është në interesin më të mirë të tyre që subjektet politike ti angazhojnë në fushata zgjedhore, po ashtu paneli ka vlerësuar natyrën e shkeljes dhe ndikimit të mundshëm të saj në procesin zgjedhor në fjalë, shkallën dhe peshën e shkeljes, dhe se subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë i njoftuar me obligimet dhe përgjegjësit gjatë procesit të fushatës, po ashtu faktin se i njëjti subjekt edhe në zgjedhjet e kaluara ka kryer të njëjtat veprime me ç’rast edhe i janë shqiptuar dënime me gjobë”, thuhet në vendim.

VV në përgjigjen e saj, ka thënë se e mitura në fjalë nuk ka qenë pjesë e programit të organizuar të tubimit, nuk ka qenë e angazhuar nga subjekti i tyre dhe nuk ka pasur asnjë rol të planifíkuar në aktivitetin zgjedhor.

Sipas VV’së, as prindi i fëmijës nuk ka shprehur asnjë kundërshtim lidhur me veprimin e vajzës.

“Sipas tyre, para fillimit të tubimit, e mitura i është afruar vetë kandidatit për kryeministër Albin Kurtit dhe ka kërkuar që t’i mundësohet të këndojë një këngë para të pranishmëve dhe se kjo është bërë në prani të prindit të saj, i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes dhe nuk ka shprehur asnjë kundërshtim lidhur me veprimin e vajzës”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit