Mbi 166 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi pas pandemisë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 03.06.2026, 12:04

Gjatë periudhës pas pandemisë 2021–2026, mbi 166.4 mijë shqiptarë rezulton të kenë braktisur vendin, duke thelluar krizën demografike dhe fenomenin e emigracionit në Shqipëri. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT mbi migracionin neto, vetëm në vitin 2021 u regjistrua një bilanc negativ prej 32,853 personash, ndërsa në 2022 shifra mbeti pothuajse e pandryshuar me 32,497 të larguar. Kulmi u arrit në vitin 2024 me minus 43,761 persona, ndërsa në dy vitet 2025–2026 janë larguar mbi 57.3 mijë qytetarë, duke dëshmuar një trend të pandalshëm emigracioni.

Të dhënat tregojnë se emigracioni neto kishte pësuar luhatje para pandemisë, duke arritur pikun e parë në 2014 me minus 21,785 persona dhe nivelin më të ulët në 2016 me minus 9,473, përpara se të rritej sërish në 2019 me mbi 23 mijë të larguar. Pandemia e vitit 2020 uli përkohësisht ritmin e largimeve, por pas saj vendi u përball me një rritje të fortë të emigracionit, duke e kthyer këtë fenomen në sfidën kryesore socio-ekonomike të dekadës së fundit. Raportet ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, e rendisin Shqipërinë si vendin më të prekur në Ballkanin Perëndimor nga largimet e popullsisë.

Arsyet kryesore të emigrimit lidhen me diferencën e madhe të pagave me vendet e BE-së, mundësitë e kufizuara profesionale dhe cilësinë e perceptuar të shërbimeve publike. Edhe pse pagat janë rritur nominalisht, inflacioni dhe kostoja e jetesës kanë ulur fuqinë blerëse, duke nxitur largimin e profesionistëve si mjekë, infermierë, inxhinierë dhe specialistë IT. Po ashtu, shumë familje zgjedhin emigrimin për të siguruar arsim dhe shëndetësi më cilësore për fëmijët e tyre, ndërsa një ndjesi pesimizmi për zhvillimin ekonomik dhe social vazhdon të ushqejë këtë trend të qëndrueshëm largimesh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit